Sot, më 18.05.2026, në SHFMU “Asdreni” u realizua një aktivitet i veçantë artistik nga nxënësit tanë, në kuadër të projektit “FRUITOPIA”përmes të cilit u përcollën mesazhe të rëndësishme për paqen, respektin, tolerancën, bashkëjetesën dhe pranimin e diversitetit.
Ky projekt është zhvilluar në bashkëpunim me organizatën Hardwired Global, Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Pejës dhe me mbështetjen e MASHT-it, me synimin për të fuqizuar edukimin mbi të drejtat e njeriut dhe kulturën e mirëkuptimit në shkolla.
Në kuadër të implementimit të projektit, TOT trajneret znj. Agime Lajqi dhe psikologia Qendresa Krasniqi kanë udhëhequr trajnime dhe aktivitete me mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës sonë, duke krijuar hapësira bashkëpunimi, komunikimi dhe reflektimi për rëndësinë e respektimit të dallimeve.
Trajnimet janë mbështetur nga znj. Tina Ramirez, aktiviste dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut me përvojë shumëvjeçare ndërkombëtare, si dhe nga znj. Brikene Krasniqi, përfaqësuese e Hardwired Kosova.
Pas zhvillimit të simulimit “Fruitopia” dhe aktiviteteve të ndryshme në kuadër të klubeve të projektit, sot u bë përmbyllja simbolike përmes dramës së realizuar nga nxënësit tanë.




