Procesi i zgjedhjes së përfaqësuesve të nxënësve në Shkollën “Asdreni”

Shkolla Asdreni Pejë > Procesi i zgjedhjes së përfaqësuesve të nxënësve në Shkollën “Asdreni”
Në SHFMU “Asdreni” u zhvillua një proces i rëndësishëm zgjedhor, i karakterizuar nga ide kreative, bashkëpunim dhe frymë demokratike për përzgjedhjen e përfaqësuesve të nxënësve.
Gjatë këtij procesi, nxënësit treguan përkushtim përmes prezantimeve të tyre, duke reflektuar përgjegjësi dhe vetëdije qytetare. Në garë morën pjesë 7 kandidatë, ndërsa 33 nxënës ushtruan të drejtën e votës, duke e bërë këtë një proces gjithëpërfshirës dhe demokratik.
Procesi u zhvillua nën drejtimin e drejtoreshës së shkollës, znj. Agime Lajqi, ndërsa përkrahje të vazhdueshme dha psikologia e shkollës, znj. Qendresa Krasniqi, e cila inkurajoi nxënësit për pjesëmarrje aktive. Kontribut të rëndësishëm në mbarëvajtjen e këtij procesi pati edhe kryetarja e Këshillit të Nxënësve, Tiara Mulliqi, e cila ishte e angazhuar në organizim dhe koordinim.
Procesi u përkrah gjithashtu nga znj. Drita Krasniqi, zyrtare për të drejtat e fëmijëve në Komunën e Pejës.
I gjithë procesi u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe transparente, duke dëshmuar rëndësinë e edukimit demokratik dhe përfshirjen e nxënësve në vendimmarrje.
Në përfundim të votimit, besimin e nxënësve e fituan Morena Mema dhe Reon Muqolli, të cilët do të përfaqësojnë shkollën në Asamblenë e Fëmijëve në Komunën e Pejës për një mandat dyvjeçar.
I përgëzojmë përfaqësuesit dhe ju urojmë suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme!

Shiko më pak

Postimet e ngjajshme