Mësojmë dhe rritemi me vlera të barazisë dhe të solidaritetit !
Në një aktivitet të veçantë kushtuar alfabetit Braille, patëm kënaqësinë të mirëpresim në shkollën tonë nxënësit nga Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim (QBMK) “Xheladin Deda” në Pejë.
Me nismën e drejtoreshës së shkollës, Agime Lajqi, nxënësit e klasës 4/2, me mësuesen Hatixhe Kelmendi i mirëpritën miqtë e rinj me shumë dashuri dhe ngrohësi, duke mësuar së bashku për rëndësinë e këtij alfabeti, që u mundëson personave me pengesa në shikim të lexojnë dhe shkruajnë.
Ata shkëmbyen dhurata të veçanta – mesazhe të shkruara me dashuri në alfabetin Braille. Duart e vogla preknin butësisht pikat e ngritura, duke lexuar mesazhe që vinin nga zemra.
Klasa jonë u mbush me buzëqeshje të sinqerta, duke dëshmuar se gjuha e dashurisë është universale dhe se gjithëpërfshirja nuk është vetëm një koncept, por një ndjenjë që e jetojmë së bashku.
Kjo përvojë e paharrueshme na mësoi se dija dhe dashuria nuk njohin kufij dhe se drita më e ndritshme është ajo që buron nga shpirti.
Përtej një aktiviteti shkollor, kjo vizitë ishte edhe një mesazh i fuqishëm për gjithë komunitetin: që çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë, të luajë dhe të ëndërrojë pa pengesa, në një botë ku dashuria dhe barazia triumfojnë mbi çdo sfidë.
