Historiku i Shkollës

Shkolla jonë gjatë viteve

Historiku i Shkollës nga viti 1962 e deri më sot

1962
Themelimi i Shkollës
Në fillim nxënësit që vijuan mësimin në këtë shkollë ishin mbledhur nga dy shkolla fillore “Boris Vukmiroviq” dhe shkolla “Milladin Popoviq”. Kjo shkollë u quajt shkolla “Nr 3”. Brenda vitit 1962 nga nxënësit e këtyre shkollave u formuan 28 paralele; prej tyre 12 paralele shqipe me 489 nxënës dhe 16 paralele serbe me 617 nxënës. Po në këtë vit shkolla mori emrin “Ivo Llolla Ribar” gjerë në vitin 1975 me dëshirën e prindërve të Ivicës dhe Llolës.
1975-1978
Vitet e para
Në vendimin e tubimit të punëtorve më 01.09.1975 merr emrin shkolla fillore “Vllezërit Ribar”dhe inkuadrohet si antare e të gjitha shkollave që mbanin këtë emër në republikat e ish federates Jugosllave. Kjo shkollë ishte shkollë eksperimentale e udhëhequr nga prof.Riza Brada. Drejtori i parë pas themelimit të shkollës ishte Sulejman Bojku deri në vitin 1976 kur edhe u largua nga detyra. Në vend të tij emërohet ushtrues detyre Petar Stojanoviq me kombësi malazeze. Pas një viti, drejtoreshë u emërua Emsale Gjuka, arsimtare e lëndës kimi-biologji e cila udhëhoqi shkollën gjatë vitit 1977/78 si ushtruese detyre e cila me vet dëshirën e saj, u shkarkua nga posti i drejtorit.
1978-1983
Zhvillimi i shkollës
Në vitin 1978 ushtrues detyre ishte Shkelzen Broqi për të vazhduar pastaj me Haxhi Ferizin,arsimtar të matematikës i cili udhëhoqi shkollën një vit 1979/80 dhe në vend të drejtorit të mëparshëm, kolektivi i asaj kohe caktoi ushtrues detyre Rrustem Pavatën, arsimtar i gjuhës shqipe gjatë vitit 1980/81, për të vazhduar pastaj Skënder Shala, profesor i pedagogjisë, i cili udhëhoqi shkollën gjatë viteve 1981/83 i cili pastaj vendoset në vend të ri të punës si inspektor arsimi. Shkolla ishte e pajisur me kabinete e mjete shumë moderne, me modele speciale për vizatim. Kishte kabinete të fizikës, biologjisë, kimisë, gjeografisë, batit etj. E veçanta e kësaj shkolle ishte se ka pasur edhe një bibliotekë dhe sallë leximi e pajisur me lektyra shkollore të mjaftueshme për të gjithë nxënësit. Po ashtu edhe salla e edukatës fizike ka qenë e pajisur me të gjitha mjetet e duhura.
1983-1999
Vështirësitë Politike
Tani puna në shkolla fillon të ketë një situatë të rëndë. Në këtë kohë të vështirë 1990/91 kolektivi i shkollës caktoi në mënyrë unanime arsimtarin e gjuhës frënge Azem Selimaj, drejtor të kësaj shkolle, i cili në kohën më të vështirë, me vite e udhëhoqi këtë shkollë. Shkolla riemërohet përsëri me njoftimin e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës më 20.06.1992 me emrin: Shkolla fillore “Asdreni”.

Dhuna e shprehur ndaj nxënësve pas vitit 1991 ku nga shkolla merreshin masa disciplinore, këtu asnjë nxënës nuk u përjashtua dhe nuk përjetoi masa të tilla. Nuk u torturua, vra apo u helmua asnjë nxënës. Mendimet e shprehura politike përmes shkrimeve dhe daljes masive u heshtën nga kolektivi dhe pa krijuar panikë dhe pasoja. Çdo vit shkollor duhej të dorëzonte shkolla informata mbi diferencimin moralo-politik të mësimdhënësve por kompaktësia dhe uniteti i kolektivit nuk lejoi që të bie në grackat që i kurdiseshin arsimit shqip dhe shkollës sonë. Për fat të mirë nuk pati mësimdhënës apo nxënës të vrarë. Drejtori i kësaj kohe Azem Selimaj për hirë të mbajtjes në presion të kolektivit iu nënshtrua një presioni politik prej vitit 1990 e tutje me qëllim të krijimit të një atmosfere dhune për lojalitet ndaj okupatorit serb. Ai mori disa herë shkrime kërcënuese me masa ndëshkuese, si nga ato materiale deri tek ato penale ndaj tij dhe mësimdhënësve, nëse nuk pranoheshin planprogramet të cilat u sollën nëpër shkolla.

Planprogramet e tyre përmbanin gjithçka që nuk i takonte popullit tonë. Ato plane u futën në shkolla me qëllim, për tu deklaruar te të gjithë mësimdhënësit se me çfarë plane do të punonin. Të gjithë mësimdhënësit pa u hamendur fare ato plane i refuzuan. Planet ishin diskriminuese sipas të cilave mohohej tradita e popullit shqiptar. Presioni në arsim gradualisht po shtohej. Sa më i madh ishte presioni aq më i vendosur populli, që t’i bënte qëndresë. Bëhej diferencimi që të sulmoheshin personat më autoritativ të shkollës. Masat represive, kulminacionin e tyre e arritën në dëbimin e nxënësve dhe mësimdhënësve nga shkolla. Pas dëbimit, nëpër shkolla u vendos që të protestohet. Ministria e Arsimit mori qëndrim që të protestohet para shkollave me mësimdhënës dhe prindër të nxënësve. Ishte paraparë të protestohet tri ditë me radhë. Edhe kjo shkollë protestoi në kohë të paraparë, mirëpo pas pak kohe, organet shtetërore erdhën dhe shpërndanë turmën e njerëzve. Drejtori, pra Azem Selimaj, u thirr në biseda informative dy herë në Gjykatën për kundërvajtje për shkak të mos zbatimit të planprogramit mësimor sërb dhe mosndërrimit të vulave me fjalët “Kosova dhe Metohija”. Meqenëse ishte e paraparë që protesta të zgjaste për tri ditë, ajo nuk u realizua për shkak se në disa shkolla ishin rrahur e malltretuar protestuesit dhe dyshohej se presioni do të ishte edhe më i madh nëse vazhdohej një gjë e tillë. Prandaj Ministria e Arsimit e asaj kohe vendosi që të ndërpritej protesta. Dhuna shprehej me kërcnimin” largim nga puna”, me vizita të shpeshta të policisë serbe të armatosur në korridore të shkollave si dhe në zyrat administrative. Sa më shumë që shtohej dhuna, uniteti dhe rezistenca bëhej më e fortë. Për këtë arsye mësimi u ndërpre më 3 shtator të vitit 1991 për një muaj deri më 1 tetor të po këtij viti. Tentimi i dytë për të hyrë në shkolla më 4 tetor 1992 qe i pa suksesshëm pasi që prap mësimi nuk u lejua të mbahet në disa shkolla fillore të Republikës së Kosovës. U organizuan protesta të qeta në të gjitha nivelet e shkollave në Kosovë. Mësimi u ndërpre me 16 tetor 1991 por rrethanat e krijuara bënë që viti shkollor të shtyhet gjerë më 1 janar 1992 kur edhe filloi në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme me plan dhe program të reduktuar. Puna filloi në lokalet shkollore.

Gjysmëvjetori zgjati prej 20 janarit 1992 deri më 30 prill 1992, ndërsa gjysmëvjetori i dytë prej 5 majit 1992 deri 30 qershor 1992. Dokumentacioni pedagogjik dhe mjetet zyrtare shkollore ishin komplet shqipe si: ditarët, dëftesat, librezat dhe vulosja e tyre u bë sipas dekreteve zyrtare të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës. Organizimi i punës në shkolla bëhej me ndihmën e Këshillit të pindërve ngase shkollat duheshin ngrohur për të krijuar kushte për mësim. Ata financonin në baza vullnetare për të krijuar mjete për punë. Vlen të përmendim edhe disa emra që mundësuan që kjo shkollë të vazhdoj punën si Osman Nikqi që kontriboi me mjete mësimore nga Turqia.

Drutë për ngrohje vinin nga komuniteti në baza vullnetare si Riza Lluka, Tefik Krasniqi, Muhamet Kastrati, Gani Muqolli, Nazmi Gega, Sherif Qosaj etj. Përkundër situatës së vështirë mësimi në këtë shkollë nuk u ndal, duke mos përmendur edhe pagat mujore të mësimdhënësve dhe stafit shkollor që ishin të vogla e më shumë simbolike. Këtu u doli në ndihmë mësuesve prindi i kësaj shkolle, Fatlum Domniku i cili shpërndau nga një pagë mujore si dhe Hajrije Zatriqi ish mësuese e kësaj shkolle ndihmoi me mjete materiale mësuesit.

1999
Ndërperja e mësimit
Me tërë këto vështirësi shkolla vazhdoj të punojë deri më 25 mars të vitit 1999 kur edhe për shkaqe lufte u ndërpre për të filluar në shtator të po këtij viti, pas lufte dhe për një vit shkollor janë kryer dy vite shkollimi.
1999-2011
Fillimi i ri
Shkolla pas luftës nuk ishte djegur, nuk mungonte as dokumentacioni por mungonin mjetet e shkollës . Në përgjithësi shkolla ishte e demoluar. Në të kishin qenë forcat militare. Aty pati ushqime që kishin lënë (miell, patate të kalbura) në sallën e edukates fizike. Më pas shkolla e merr veten me ndihmën e Organizatës së huaj Irlandeze “Goal” e cila riparoi sadopak objektin. Menjëherë pas lufte shkolla u kyq në trajnime të mësimdhënësve si: Trajnime psiko-sociale, pastaj trajnime me metodologji të reja mësimi. Si pjesë e formimit të kushteve më të mira shkolla u pajis me ngrohje qendrore gjatë vitit 2002, investim ky nga USAID-i; e cila e bëri këtë shkollë të ketë kushte më të mira pune. Pas pensionimit të Azem Selimajt, drejtoreshë u zgjodh Angjelina Bardhaj, profesoreshë e historisë. Gjatë mandatit të drejtoreshës, Angjelina Bardhaj shkolla vazhdoj të punojë me sukses dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë të nxënësve dhe mësimdhënësve. Tani kjo shkollë u pasurua me kushte më të mira për punë, duke u shtuar me tetë klasë të reja nga ‘’Unioni Europian,’’ dhe po në këtë kohë filloi edhe mësimi me klasa të nënta, gjë që ishte edhe një risi për ne sepse u shtua edhe stafi i mësimdhënësve të rinj. Më 2007 u kubëzua e tërë platoja nga oborri i përparmë i shkollës dhe u bë rregullimi i kopshtit si investim i Kuvendit Komunal dhe i Komunitetit të prindërve. Më 2009 u ndërrua komplet çatia e shkollës; kurse më 2010 u ndërtua edhe një aneks me sipëfaqe prej 250 metrash katrorë dhe u rrit numri i nyjeve sanitare për 13 tualete për nxënës. Më 2011 u riparua komplet salla e edukates fizike financuar nga Kuvendi Komunal.
2012-2014
Investimet e Vazhdueshme
Më 2012 gjatë punës si drejtor Adem Nikqi, arsimtar i historisë u krijua edhe Qendra për ngritje profesionale financuar nga USAID-i si dhe dy klasë të shekullit XXI të pajisura me aparaturë të nevojshme, e cila pati një prioritet të madh në krijimin e kushteve për trajnime të tjera që do të mbaheshin në vijim. Trajnimet ishin të shumta dhe ishim ne ndër mësimdhënësit të parë që po certifikoheshim për një mësimdhënje të re. Personeli i mësimdhënësve ishte i kualifikuar dhe i trajnuar. Nga viti 2013 shkolla është përzgjdhurë nga MASHT, si shkollë pilot në zbatimin e KKK në mes të 10 shkollave të para në Kosovë, e cila falë angazhimit të gjithë personelit e ka kaluar me sukses pilotimin e tërë procesit, duke pasur parasysh sfidat dhe veshtirësitë e gjithë procesit. Në shkollë funksionojnë me përpikëri Organet qeverisëse dhe profesionale të shkollës, Këshilli i Prindërve si dhe Këshilli i nxënësve. Në pesëdhjetë vjetorin e themelimit të saj në vitin 2012 shkolla kishte 1097 nxënës të ndarë në tri nivele mësimore. Shkolla u vëllazërua edhe me shkolla tjera të shteteve simotra, e Turqisë nga Bursa me emrin ” Vahide Aktug’’, pastaj me shkollën fillore të Elbasanit “Jorgji Dilo” dhe ky bashkpunim po vazhdon ende.
2014 - e tutje
Sukseset e vazhdueshme

Nga marsi i vitit 2014 këtë shkollë e udhëheq profesoresha Agime Lajqi.
Puna e vazhdueshme dhe angazhimi kanë vazhduar pa u ndalë duke bërë shumë punë dhe duke qenë zëri i aktivteteve dhe sukseseve të nxënësve në qytet, e padyshim duke e marrë edhe epitetin e shkollës si shkollë - e para në qytet. Meqë kjo shkollë është edhe shkollë 'Pilot', vazhduan angazhimet e personelit me trajnime tjera në kuadër të zbatimit të KKK , sipas kërkesave të reja të Ministrisë së Arsimit. Tanimë i tërë personeli i mësimdhënësve është i trajnuar dhe të gjithë punojmë me planet e programet me KKK. Jemi ndër dhjetë shkollat e para që e përvetsuam dhe u certifikuam me këtë reformë arsimore. Krahas punës së vazhdueshme që bëhej në shkollë, Drejtoresha e shkollës ndihmoi dhe kontriboi në të gjithë procesin duke u angazhuar të jetë pjesë e takimeve në MASHT, DKA, ashtu që tërë pocesin ta kalojmë me sukses dhe të jemi të informuar për çdo detaj, e poashtu të bartim edhe informatën tek nxënësit dhe prindërit. Poashtu, në kuadër të aktivteteve jashtëmësimore është realizuar plani me përpikmëri dhe janë përkrahur të gjitha aktivitetet e nxënësve dhe mësimdhënësve. Angazhimet tjera ishin të shumta në kuadër të shkollës. Infrastruktura dhe kushtet në shkollë jo të mira kërkonin përkrahje dhe zgjidhje nga DKA e Komuna Kërkesat tona u arsyetuan me vizitën e kryetarit të Komunës dhe në këtë vizitë të gjitha premtimet për shkollën u realizuan. Shkollës i është ndryshuar pamja për të mirë, që ndikon drejtëpërdrejtë në rezultatete dhe të arriturat e saj.
Në kuadër të cilësisë është edhe Grupi i mësimdhënësve për 'Përmirësimin e vlerësimit të Rezultateve të të Nxënit' të cilët angazhohen që cilësia të jetë sa më e mirë. Në mesin e këtyre mësimdhënësve kemi edhe trajnerë për Kurrikulën Bërthamë gjë që e bën këtë shkollë të bashkëpunojë dhe të jetë më e suksesshme në procesin mësimor në krye me drejtoreshën e kësaj shkolle. Ndihmë të madhe në ngritje të cilësisë së shkollës ofron edhe Kordinatorja e cilësisë Nexhmije Shala. Nga viti 2014, shkolla vazhdon të punoj me sukses, edhe në kuadër të infrastrukturës ku dhe janë renovuar shumë pjesë të hapsirës së shkollës si: komplet ndërrimi i dyerve dhe dritareve të shkollës, aneksi me tri klasë të reja të kompletuara për mësimin parafillor, nyjet sanitare në të gjitha banjot e shkollës, renovimmi komplet i tyre deri të lidhja e kanalizimit jashtë nga sistemi i vjetër në lidhjën e kanalizimit të ujrave të zeza të qytetit, salla e edukates fizike e renovuar me të gjitha kushtet e nevojshme për orën e mësimit, lyerja e korridoreve të brendshme të shkollës, vendosja e kamerave në hapsirat e shkollës, rregullimi i trotuareve për rreth shkollës (kubizimi), blerja e hapsirës së 4 ari tokë para shkollës, rregullimi i magazinës për vendosjën e drunjve, shpërndarja e nxemjes dhe riparimi i radiatorëve nëpër hapësira të shkollës, krijimi i kopshteve shkollore, gara me tabela të reja dhe pajisja me tabela. Shkolla ka bashkëpunuar vazhdimisht me shkollën 'Vahide Aktug' nga Bursa e Turqisë, ku ata na kanë ndihmuar me mjete, të holla dhe veshëmbathje për nxënës, poashtu edhe me projektor dhe kompjuterë e printerë për shkollë, dhe kanë bërë edhe shumë punë tjera përcjellëse. Poashtu janë renovuar dy klasë dhe janë krijuar kushte për kabinetete të Informatikes të pajisura nga Komisioni Evropian. Është pasuruar biblioteka me tituj të librave nga Instituti Albanologjik i Kosovës dhe organizata SICLUB Peja.
Puna vazhdon edhe me aktivitete te cilat janë synime të vazhdueshme që ka shkolla.

Aktivitetet në shkollën tonë zakonisht përfshijnë një gamë të gjerë veprimtarish për të nxitur zhvillimin akademik,social dhe kreativ të nxënësve.

Disa nga shembujt e aktiviteteve në shkollë janë:

-Aktivitete mësimore: Ku përfshihen projekte grupore dhe individuale. Takime letrare, kuize të ndryshme

-Aktivitete kulturore: Ku përfshihen festat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ekspozita artistike të punimeve të nxënësve.

-Aktivitete sportive: Ndeshje futbolli dhe lojëra tjera. Turne sportive ndërshkollor

-Klube interesi siç janë: Klubi i Artit, Muzikës. Klubi i Ekologëve dhe aktivitete për mbrojtjen e mjedisit.

-Ekskurzione dhe Vizita Edukuese: Vizita në muze,teatro dhe institucione të tjera kulturore.

-Aktivitete sociale dhe humanitare: Mbledhje fondesh për qëllime të ndryshme.